Historiku i Lipjanit
Si vendbanim, Lipjani njihet që nga periudha romake, por jo si vend i rëndësishëm. Qytet me rëndësi dhe kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve ishte Ulpiana, e cila ndodhej në verilindje në largësi rreth 10 km nga Lipjani. Lipjani, në periudhën romake ishte kryesisht një vendbanim i vogël në rrugën për në Lissum. Identifikimi i Lipjanit me emrin Ulpiana më vonë është vërtetuar edhe me zbulimet e gërmadhave të vendbanimeve të antikës së vjetër dhe të periudhës bizantine në Lipjanin e sotëm.
Me zhvillimin e industrisë – minierës në vendbanimin e Janjevës, u bë e njohur edhe Prishtina, që deri atëherë nuk ishte e njohur. Kështu me kalimin e kohës, Lipjani humbi rëndësinë e mëparshme dhe funksiononte si një “shesh” i thjeshtë në kuptim lokal. Në përgjithësi deri me ndërtimin e hekurudhës nga francezët, në fund të shek. të kaluar (1873-1874), Lipjani ishte një fshat i rëndomtë, i njohur si kryqëzim i rrugëve në rajon. Në këtë hekurudhë Lipjani fitoi stacionin hekurudhor krahas të cilit u ndërtuan punëtoritë e para me karakter tregtar, depot për grumbullimin e drithërave, dhe disa dyqane zejtare, kështu që deri në fund të shek. XIX gjatë kohës së sundimit turk, kjo pjesë e re e Lipjanit fitoi pamjen e një qyteze. Definitivisht, Lipjani merr formën e qarshisë rreth vitit 1890, kurse kjo pjesë e re e quajtur “qarshia” zgjerohet nga pjesa jugore dhe veriore. Pas luftrave ballkanike zhvillohet pjesa e Lipjanit afër stacionit hekurudhor, në pjesën lindore të të cilit ekzistonin disa shtëpi që nga viti 1890. Mirëpo, me përfundimin e Luftës I-rë Botërore është rritur numri këtyre shtëpive. Ishin shtëpi me karakter fshati. Pas luftës Lipjani zgjerohet edhe nga pjesa jugore, veriore dhe perëndimore. Ndërtimet e para individuale fillojnë në pjesën përgjatë rrugëve Prishtinë-Shtime – Ferizaj, ndërsa më vonë edhe nga jugu nga Mostina (lagje e Lipjanit). Deri në vitin 1912, në kohën e sundimit turk ka qenë në përbërje të Vilajetit të Kosovës, që është shtrirë deri në Manastir. Prej vitit 1914-1918 –(Lufta e Parë Botërore) Lipjani mbetet në pjesën e Kosovës, e cila ka qenë e sunduar nga Bullgaria. Me funksionimin e hekurudhës Kosovë-Maqedoni-Greqi u rriten aktivitetet ekonomike, konkurrenca në treg në qendra, si Mitrovicë, Ferizaj dhe Lipjan, të cilat ndikuan në dobësimin e tregut në qendrat më të mëdha, si Prishtina, Prizreni dhe Gjakova. Që nga kjo kohë fillon të zhvillohet Lipjani. Në 120 m nga Lipjani fillon formimi i pjesës tjetër përreth stacionit, kryesisht aktivitete tregtare. Me ndërtime individuale gjithashtu përfshihet edhe pjesa në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës për në Prishtinë. Në veri të vendbanimit janë ngritur objektet publike dhe bujqësore, derisa në rrugën për Magurë ngritën objektet kolektive të banimit. Në kuadër të Lipjanit hynë edhe qyteza e vjetër e vendbanimit të Janjevës, e cila përfshin pjesën qendrore nga ana veriore – malore e Komunës së Lipjanit, ndërsa nga aspekti tregtar më shumë gravitohej nga Prishtina. Pozita gjeografike e Komunës së Lipjanit
Komuna e Lipjanit ka pozitë të përshtatshme gjeografike, sepse gjendet në pjesën qendrore të Kosovës dhe në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme të rajonit. Përmes territorit të komunës rrjedh lumi Sitnica, përreth dhe përgjatë të cilit shtrihen sipërfaqet më të plleshme bujqësore, të përshtatshme për prodhimtari bujqësore intensive. Gjithashtu, kjo komunë gjendet në afërsi të drejtpërdrejtë të qendrave më të mëdha .
Territori i komunës së Lipjanit shtrihet në mes të gjerësisë gjeografike veriore 42°44’- 42°52’ dhe të gjerësisë lindore prej 18°30’-18°45’. Ka mundësi të volitshme të shfrytëzimit të trafikut rrugor – hekurudhor e edhe atij ajror, meqenëse aeroporti gjendet në territorin e komunës dhe është nga qendra vetëm 15 km largësi. Kjo pozitë e territorit të komunës, si dhe e vetë qytetit Lipjan, paraqet rrethanë mjaft të përshtatshme për zhvillimin e mëtejmë të komunës. Përmes territorit të komunës së Lipjanit kalon hekurudha, e cila lidh këtë territor në të gjitha drejtimet me rajonin në tërësi. Në raport me qendrat tjera komunale, Lipjani gjendet në vendin e 7 sipas numrit të banorëve, në bazë shënimeve nga viti 1981. Në planin hapësinor të Kosovës në kuadër të qendrave tjera të mëdha, Lipjani, me sipërfaqen që posedon, është paraparë si vendbanim i rangut III nga aspekti urban. Në raport me vendbanimet në kuadër të territorit të saj, Lipjani është qendër e komunës me karakteri të qytetit, ndërsa Magura dhe Janjeva janë me karakter qyteze dhe sipas PH të Kosovës kanë karakter sekondar. Sipas numrit të banorëve, Lipjani është vendbanimi më i madh mandej radhiten Janjeva, Gadimja e Poshtme, Sllovia dhe Magura, kurse sipas sipërfaqeve radhitja është kështu: Sllovia, Gadimja e Epërme, Blinaja, Suhadolli, Zllakuqani, Banulla, Akllapi, Smallusha ,Shala e keshtu me rradhe. |